Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas dorëzimit të një kallëzimi penal nga asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prokurorinë Speciale. Kallëzimi penal është drejtuar kundër shefit të kabinetit të Ramës, Florent Maliqi, nën pretendimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama theksoi se e mirëpret dërgimin e rastit në Prokurori. “E para, po m’vjen mirë që më në fund po i drejtoheni Prokurorisë. Është lajm i mirë”, ka shkruar ai, duke cituar fjalët e tij direkte.
Me këtë rast, Rama bëri edhe një koment politik, duke ftuar Kryeministrin Albin Kurti që t’i përgjigjet ftesave të Prokurorisë. “Tash udhëzojeni edhe Kryeministrin t’i përgjigjet Prokurorisë, sepse ka më shumë se dy vjet që nuk i përgjigjet ftesës për intervistim”, shtoi ai.
Kryetari i Prishtinës ritheksoi zotimin e Komunës për bashkëpunim të plotë me institucionet e drejtësisë. “Institucionet e Kryeqytetit kanë qenë dhe mbeten të hapura për organet e drejtësisë. Garantojmë bashkëpunim të plotë, transparent dhe institucional për çdo kërkesë të Prokurorisë, si gjithmonë”, deklaroi Rama.
Ai përsëriti se pas përfundimit të hetimeve dhe marrjes së një vendimi nga Prokuroria, do të ndërmerren të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj çdo personi që rezulton se ka shkelur ligjin. “Pas vendimit të Prokurorisë, do t’i ndërmarrim pa asnjë hezitim të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin”, theksoi ai.
