Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar gatishmërinë e tij për bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë. Kjo deklaratë vjen pas dyshimeve për përfshirjen e mundshme të shefit të tij të kabinetit, Florent Maliqi, në biseda të dyshimta të zhvilluara në platformën “Snapchat”.

Reagimi i Ramës vjen në përgjigje të lëvizjes Vetëvendosje, të cilës i kërkoi të udhëzojë Kryeministrin Albin Kurti që t’i përgjigjet ftesave të Prokurorisë.

“E para, më vjen mirë që më në fund po i drejtoheni Prokurorisë. Është lajm i mirë. Tani udhëzojeni edhe Kryeministrin t’i përgjigjet Prokurorisë, sepse ka më shumë se dy vjet që nuk i përgjigjet ftesës për intervistim,” tha Rama në deklaratën e tij.

Ai theksoi gjithashtu se “dyert e Kryeqytetit kanë qenë dhe mbeten të hapura për organet e drejtësisë”, duke garantuar “bashkëpunim të plotë, transparent dhe institucional për çdo kërkesë të Prokurorisë, si gjithmonë, padiskutim.”

Rama paralajmëroi se pas vendimit të Prokurorisë, Komuna “do t’i ndërmarrë pa asnjë hezitim të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin.”