Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim themeluesen dhe drejtoreshën e Shoqatës “JETA/VITA”, Nafije Latifi, të cilën e ka vlerësuar për kontributin shumëvjeçar në mbështetje të grave të prekura nga kanceri i gjirit dhe në ngritjen e vetëdijes për zbulimin e hershëm të sëmundjes.
Haxhiu tha se Latifi është bërë simbol i shpresës për shumë gra në Kosovë, duke e shndërruar përvojën e saj personale në një mision human.
“Sot prita në takim znj. Nafije Latifi, themeluese dhe drejtuese e Shoqatës ‘JETA/VITA’, një grua që me forcën, përkushtimin dhe humanizmin e saj është bërë simbol i shpresës për shumë gra në Kosovë. Pasi e ka mposhtur tri herë kancerin e gjirit, ajo e ka shndërruar përvojën personale në një mision jetësor, duke punuar prej më shumë se dy dekadash për vetëdijesimin e grave mbi rëndësinë e zbulimit të hershëm, kontrolleve të rregullta dhe mbështetjes për të gjitha ato që përballen me këtë sëmundje”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka shprehur mirënjohje për punën e Shoqatës “JETA/VITA”, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe shoqërore për iniciativa të tilla.
“Shpreha mirënjohjen time për znj. Latifi dhe ekipin e Shoqatës ‘JETA/VITA’ për kontributin e tyre të çmuar në edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, si dhe për mbështetjen psikologjike e sociale që u ofrojnë grave të prekura nga kanceri i gjirit. Institucionet dhe shoqëria jonë duhet të mbështesin iniciativa të tilla, të cilat luajnë rol tejet të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit dhe në shpëtimin e jetëve të qytetarëve”, ka theksuar Haxhiu.
