Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, përmendi ndërhyrjen ushtarake në Kosovë më 1999, gjatë presidencës së Bill Clintonit, teksa mbrojti veten nga një nismë për shkarkimin e tij, e iniciuar nga një kongresist i Partisë Republikane.

Në një konferencë për media në Pentagon, më 10 nëntor, Hegseth argumentoi se asnjë sekretar amerikan i Mbrojtjes nuk ishte shkarkuar për udhëheqjen e operacioneve ushtarake që ai i cilësoi të ligjshme.

“Asnjëherë, me apo pa rezolutë për kompetencat e luftës. As nën Reaganin në Liban, as nën Clintonin në Kosovë, as nën Obamën në Irak dhe Siri, as nën Bidenin në Irak dhe Siri. Ky është standardi”, tha Hegseth.

Ai iu referua ndërhyrjeve të mëparshme amerikane për të kundërshtuar përpjekjen për shkarkimin e tij, të cilën e cilësoi si mosmarrëveshje politike dhe jo si çështje të shkeljes së ligjit.

Shtetet e Bashkuara udhëhoqën fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave jugosllave në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë.

Ndërhyrja 78-ditore synonte t’i jepte fund dhunës dhe dëbimit të shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.

Deklarata e Hegsethit vjen pasi kongresisti republikan, Thomas Massie, paraqiti më 9 nëntor tetë akuza për shkarkimin e sekretarit të Mbrojtjes, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve amerikane, gjatë udhëheqjes së operacioneve ushtarake.

Akuzat lidhen kryesisht me luftën e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, përfshirë pretendimin se operacionet janë zhvilluar pa autorizimin e Kongresit.

Massie ngriti gjithashtu shqetësime për sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafikim droge në Karaibe dhe Paqësor, operacionet në Jemen e Venezuelë dhe trajtimin e viktimave civile.

Hegseth i hodhi poshtë akuzat, duke këmbëngulur se operacionet ishin të ligjshme, të urdhëruara nga presidenti Donald Trump dhe të zbatuara nga ushtria amerikane.

“Ajo që po përpiqet të bëjë një kongresist i pakënaqur dhe i mundur, nuk është mbikëqyrje dhe as kërkim llogarie. Është një spektakël politik, një manifest personal i nxitur nga egoja dhe pakënaqësia”, tha ai.

Ai e përshkroi nismën si përpjekje për të dëmtuar presidentin Trump dhe forcat e armatosura amerikane.

Sipas Hegsethit, dallimet mbi politikat ushtarake duhet të trajtohen përmes legjislacionit, debatit dhe zgjedhjeve, jo përmes procedurave të shkarkimit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes kundërshtoi edhe pretendimet për sulme ndaj civilëve, duke thënë se ato përbëjnë akuza të pabaza ndaj pjesëtarëve të ushtrisë që kanë zbatuar urdhrat.

Ai mbrojti operacionet kundër Iranit dhe sulmet ndaj anijeve të dyshuara për trafikim droge, duke i paraqitur si masa për mbrojtjen e sigurisë amerikane.

Hegseth paralajmëroi, gjithashtu, se forcat amerikane mbeten të gatshme të veprojnë, nëse Irani përshkallëzon konfliktin.

Presidenti Trump i ka dalë në mbrojtje sekretarit të tij të Mbrojtjes, duke vlerësuar veprimet e tij në Iran dhe Venezuelë dhe duke kundërshtuar nismën për shkarkim.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë deri më 11 nëntor për nismën kundër Hegsethit. Republikanët mund të kërkojnë bllokimin e saj ose dërgimin për shqyrtim në komision, pa kaluar domosdoshmërisht në votimin për shkarkim.

Për shkarkimin e një zyrtari të lartë amerikan, fillimisht nevojitet miratimi i akuzave nga shumica e Dhomës së Përfaqësuesve.

Më pas, Senati duhet ta shpallë fajtor me shumicë prej dy të tretash për ta larguar nga detyra.

Nisma është veçanërisht e ndjeshme për administratën Trump, pasi është ndërmarrë nga një kongresist i partisë së presidentit, pas humbjeve të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, më 3 nëntor. /REL