**Ministrja Bogujevci: Projekti i Teatrit të Operës dhe Baletit drejt finalizimit, nis procedurat e prokurimit**

Prishtinë – Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar sot se projekti për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit në Kosovë po shkon drejt fazës së finalizimit. Ajo ndau detaje nga takimi me ekipin projektues, duke theksuar hapat konkretë që po ndërmerren për krijimin e kësaj vepre infrastrukturore të rëndësishme për kulturën.

Nëpërmjet një postimi, Bogujevci bëri të ditur se nga prezantimi i fundit, u konstatua që “projekti kryesor është drejt finalizimit dhe po avancon në përputhje me planin dinamik të parashikuar.” Ajo shtoi se Kosova po bën “hapa konkretë drejt krijimit të një shtëpie të re për institucionet kulturore skenike dhe artistët skenik,” duke e cilësuar këtë si një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore në kulturë për dekadat që vijnë.

Projekti i Teatrit të Operës dhe Baletit është hartuar nga studioja prestigjioze daneze BIG, e udhëhequr nga arkitekti Bjarke Ingels. Ai parasheh një infrastrukturë moderne dhe funksionale, me katër salla për shfaqje dhe performanca artistike, hapësira të dedikuara për prova dhe përgatitje të artistëve, si dhe ambiente për edukim, konferenca dhe aktivitete publike. Kjo hapësirë do të sigurojë kushte bashkëkohore për artistët dhe institucionet kulturore, duke pasuruar ndjeshëm ofertën artistike dhe jetën kulturore në vend.

Ministrja Bogujevci theksoi se pas përfundimit të projektit zbatues, Ministria e Kulturës do të nisë menjëherë procedurat e prokurimit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. “Ky është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të kësaj vepre që do t’i shërbejë kulturës dhe artistëve tanë,” përfundoi ajo.