Në Gjykatën Themelore në Ferizaj të martën është mbajtur seanca e radhës gjyqësore në rastin e vrasjes së Bekim Varit, ku ka dëshmuar edhe kushëriri i të ndjerit, Ramiz Vari.

Gjatë dëshmisë së tij, Vari ka rrëfyer momentet kur ishte njoftuar për zhdukjen e Bekimit, kërkimet për gjetjen e tij, si dhe takimin që kishte pasur me të akuzuarin Leutrim Fejza në afërsi të një vile në mal, shkruan IndeksOnline.

Dëshmitari ka deklaruar se për zhdukjen e Bekimit ishte njoftuar nga nëna e tij, e cila i kishte treguar se tashmë një javë nuk kishte asnjë lajm për të.

“Kur shkova në shtëpi, i pashë se ishin të shqetësuar. Nëna më tregoi se Bekimi ishte zhdukur qe një javë dhe nuk po lajmërohej askund”, ka deklaruar Vari.

Ai ka treguar se familjarët kishin pranuar një mesazh nga Bekimi, por sipas tij, shkrimi nuk përputhej me mënyrën se si shkruante i ndjeri.

“E pyeta nënën pse nuk e kishin lajmëruar rastin në polici. Ajo më tregoi për një mesazh që ia kishte dërguar Leonit, por unë i thashë se ai nuk ishte shkrimi i Bekimit, pasi ai shkruante shumë mirë, rrjedhshëm dhe kuptueshëm”, ka rrëfyer dëshmitari, transmeton IndeksOnline.

Tutje, Ramiz Vari ka treguar se menjëherë pas kësaj kishin dalë për ta kërkuar Bekimin në disa zona malore, ndërsa gjatë kërkimeve kishte hasur në të akuzuarin Leutrim Fejza.

Sipas dëshmisë së tij, takimi kishte ndodhur afër një vile në zonën e Gremës, ku Leutrimi ishte së bashku me Darisin dhe dy persona të tjerë.

“E kam takuar Leutrimin rreth 30-40 metra larg vilës. E përshëndeta dhe e pyeta nëse e kishte parë Bekimin, pasi nuk po lajmërohej, apo mos kishte qenë me të në mal. Ai më tha se Bekimin nuk e kishte parë qe dy-tre muaj”, ka deklaruar Vari.

Dëshmitari ka shtuar se gjatë kësaj bisede kishte vërejtur një reagim të pazakontë nga i akuzuari.

“Leutrimi u skuq në fytyrë, i humbi ngjyra, e uli kokën dhe vazhdoi të ecte. Nuk më pyeti asgjë se çfarë kishte ndodhur me Bekimin, edhe pse kishin qenë shokë”, ka thënë ai.

Një tjetër detaj që Vari e ka paraqitur para trupit gjykues lidhet me një telefonatë që, sipas tij, e kishte marrë nga Leutrim Fejza një ditë pas takimit në mal.

Ai ka treguar se gjatë telefonatës, Leutrimi i kishte thënë se Bekimin e kishin parë me dy vajza.

“Bre Ramë, e kishin parë Bekimin me nja dy çika”, ka qenë fjalia që dëshmitari ia ka atribuuar të akuzuarit.

Vari ka deklaruar se i ishte përgjigjur duke i thënë se Bekimi kishte qenë me të, ndërsa pas kësaj Leutrimi ia kishte ndërprerë telefonatën.

Po ashtu, dëshmitari ka treguar se më vonë kishte marrë informacione nga një shitës në fshatin Dubravë, i cili i kishte thënë se Bekimi kishte qenë në dyqan më 22 janar 2025 dhe kishte përmendur se do të shkonte në mal me Temuzin, pseudonim të cilin Vari e ka lidhur me Leutrim Fejzën.

“Enveri më tha se Bekimi kishte qenë aty më datën 22 dhe kishte treguar se po bëhej gati të shkonte në mal me Temuzin. Pas kësaj e kam lajmëruar policinë, të cilët kanë shkuar dhe kanë kontrolluar kamerat e sigurisë”, ka deklaruar ai.

Sipas dëshmitarit, në pamjet e kamerave ishte parë Bekimi duke hyrë në dyqan atë natë.

Gjatë pyetjeve të mbrojtjes, Vari ka sqaruar se me të akuzuarin kishte pasur raporte si fqinj, pasi shtëpitë e tyre ndodheshin përballë njëra-tjetrës. Ai ka theksuar se me Bekimin kishte pasur raporte shumë të mira familjare dhe takoheshin pothuajse çdo javë.

Dëshmitari ka deklaruar gjithashtu se kërkimet për Bekimin kishin vazhduar çdo ditë, deri më 5 shkurt, si gjatë ditës ashtu edhe gjatë natës.

Leutrim Fejza akuzohet për vrasjen e Bekim Varit. Përgjegjësia penale e të akuzuarit do të përcaktohet nga gjykata.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës./IndeksOnline/