Barcelona nuk do ta zhvillojë ndeshjen e dytë dhe të fundit të turneut përgatitor në Angli, pasi miqësorja e planifikuar ndaj Preston North End është anuluar.

Sipas raportimit të “Cadena SER“, klubi anglez njoftoi Barcelonën se nuk kishte numër të mjaftueshëm futbollistësh në dispozicion për ta zhvilluar takimin. Preston tentoi të gjente një zgjidhje të minutës së fundit, duke propozuar plotësimin e skuadrës me lojtarë të ekipit rezervë dhe zhvillimin e ndeshjes pa praninë e tifozëve, shkruan Indeksonline

Megjithatë, Barcelona e refuzoi këtë alternativë, duke vlerësuar se kushtet e reja nuk përputheshin me marrëveshjen e arritur fillimisht mes dy klubeve. Si pasojë, Preston North End vendosi ta anulojë përfundimisht sfidën.

Kështu, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick e mbyll turneun në Angli me vetëm një ndeshje të zhvilluar. Të premten, katalanasit barazuan 2:2 ndaj Birmingham City në një miqësore interesante, e cila më pas u vendos me penallti. Protagonisti kryesor ishte Hamza Abdelkarim, autor i dy golave që i mundësuan Barcelonës rikthimin në rezultat.

Pas anulimit të ndeshjes me Prestonin, Barcelona do të kthehet në Spanjë më herët se ishte planifikuar për të vazhduar përgatitjet për sezonin e ri./Indeksonline/