Me fillimin e muajit gusht, bregdeti shqiptar po përjeton një fluks të theksuar vizitorësh nga Kosova, ndërsa mijëra qytetarë dhe mërgimtarë po i drejtohen Shqipërisë për pushimet verore. Pas disa ditësh të kaluara në vendlindje, një numër i madh mërgimtarësh nga Kosova kanë nisur udhëtimin drejt zonave turistike shqiptare. Po ashtu, shumë pushues rezidentë në Kosovë kanë zgjedhur bregdetin e Shqipërisë për pushimet e tyre të muajit gusht.
Në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, të gjitha sportelet janë vënë në shfrytëzim të plotë. Autoritetet kufitare po punojnë me procedura të përshpejtuara për të menaxhuar fluksin e shtuar të automjeteve dhe udhëtarëve. Procedurat e lehtësuara zbatohen kryesisht për automjetet me targa të huaja, shumica e të cilave u përkasin mërgimtarëve të Kosovës. Ndërkohë, automjetet me targa të Kosovës dhe Shqipërisë kalojnë pa kontrolle kufitare, në bazë të një marrëveshjeje për lehtësimin e lëvizjes mes dy vendeve.
Pavarësisht numrit të lartë të automjeteve, situata në kufi mbetet e qetë dhe nën kontroll. Koha e pritjes nuk i kalon pesë minuta, ndërsa qarkullimi zhvillohet normalisht falë organizimit efikas të autoriteteve kufitare. Ky fluks ishte i pritshëm, pasi muaji gusht shënon kulmin e sezonit turistik, një periudhë kur qindra mijëra mërgimtarë nga Kosova, që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, kalojnë pushimet e tyre si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Vetëm gjatë dy ditëve të para të muajit gusht, që përkonin me fundjavën, në Shqipëri kanë hyrë mbi 50 mijë pushues nga Kosova, përfshirë këtu edhe pjesëtarë të diasporës.
Autoritetet presin që fluksi të mbetet i lartë edhe gjatë ditëve në vijim, veçanërisht në fundjavat e muajit gusht, kur parashikohet një numër edhe më i madh udhëtarësh në të dyja drejtimet e kufirit.
