Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025”, duke vlerësuar gjendjen në 38 komunat e Kosovës dhe duke zbuluar se 10 prej tyre kanë arritur transparencë maksimale.

Raporti tregon se mesatarja kombëtare e transparencës buxhetore për vitin 2025 ka shënuar rritje, duke arritur në 64.5 pikë, nga 61 pikë sa ishte një vit më parë.

Konkretisht, 10 komuna kanë marrë pikët maksimale (100 pikë), ndërsa 19 nga 38 komunat kanë arritur të paktën 89.5 pikë. Megjithatë, Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani nuk kanë grumbulluar asnjë pikë transparence.

Në aspektin e publikimit të dokumenteve, gjatë vitit 2025, komunat kanë bërë publike 240 dokumente buxhetore, ku 133 prej tyre kanë qenë raporte financiare. Lidhur me planifikimin buxhetor për vitin 2026, janë organizuar 119 dëgjime me qytetarët. Nga këto, 28 komuna kanë mbajtur së paku katër dëgjime, ndërsa të tjerat nga një deri në tri.

Formatet e publikimit tregojnë se 76% e dokumenteve janë në formate të hapura (Excel dhe Word), ndërsa 8% janë në PDF dhe 16% si dokumente të skanuara.

Dokumentet më shpesh të publikuara përfshijnë Kornizën Afatmesme Buxhetore dhe Rregulloren për Ndarjen e Subvencioneve, të dyja nga 30 komuna. Po ashtu, 29 komuna kanë publikuar raportet financiare të tremujorit të parë dhe të dytë, dhe 28 kanë bërë publike Raportin Vjetor Financiar për vitin 2025.

Sa i përket ndryshimeve, Obiliqi ka shënuar rritjen më të madhe të transparencës (+60 pikë), i ndjekur nga Ferizaj (+52.5 pikë) dhe Gjilani (+43.5 pikë). Në anën tjetër, rënie më të theksuar kanë pasur Vitia (-35 pikë), Mitrovica e Veriut (-29 pikë) dhe Lipjani (-15 pikë).

Instituti GAP vlerëson se, pavarësisht progresit të përgjithshëm, mbetet thelbësore standardizimi i formateve të publikimit dhe forcimi i mekanizmave të qëndrueshëm të llogaridhënies në të gjitha komunat e Kosovës.