Pozita e Gianni Infantinos në krye të FIFA-s duket gjithnjë e më e brishtë.

Pas tërheqjes së projektit për krijimin e një kompanie tregtare me investitorë privatë, presidenti i FIFA-s po përballet me një valë të madhe kundërshtimesh brenda futbollit ndërkombëtar.

Disa federata kombëtare dhe UEFA po kërkojnë tashmë ndryshime në drejtimin e organizatës.

Deri pak javë më parë, rizgjedhja e Infantinos për një mandat të tretë në vitin 2027 dukej pothuajse e sigurt.

Por situata ka ndryshuar ndjeshëm. Një nga goditjet më të mëdha erdhi nga largimi i menjëhershëm i Carlos Cordeiro, një prej këshilltarëve kryesorë të tij, i cili ishte kundër projektit për privatizimin dhe pretendonte se nuk ishte informuar paraprakisht për këtë nismë.

Në përpjekje për ta rikthyer mbështetjen rreth vetes, Infantino raportohet se e ka kërkuar ndihmën e disa aleatëve të rëndësishëm, mes tyre edhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Sipas “New York Times”, kreu i FIFA-s është përpjekur disa herë ta kontaktojë Trumpin, por nuk ka marrë përgjigje, përcjell “Gazeta Express”.

Gjithashtu, Infantino e ka kërkuar një bisedë me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për ta diskutuar rolin e futbollit si një mjet i ndikimit ndërkombëtar të SHBA-së.

Megjithatë, nga pala amerikane është bërë e ditur se nuk ka pasur asnjë takim apo telefonatë të planifikuar.

Polemikat nuk lidhen vetëm me menaxhimin e FIFA-s, por edhe me marrëdhënien e afërt mes Infantinos dhe Trumpit.

Të dy kanë shfaqur afërsi gjatë organizimit të Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa kjo lidhje ka sjellë kritika edhe nga disa qarqe politike dhe organizata të të drejtave të njeriut.

Në këtë moment, e ardhmja e Gianni Infantinos në krye të FIFA-s duket shumë më e pasigurt se sa disa javë më parë.

Presidenti i futbollit botëror po kërkon aleatë për ta ruajtur pozicionin e tij, ndërsa kundërshtimi ndaj tij po rritet nga disa konfederata të rëndësishme. /Gazeta Express