Pamje ekskluzive nga arrestimi i Egzon Reshanit, i kërkuar për vepra të rënda penale

IndeksOnline ka siguruar pamje ekskluzive nga arrestimi i Egzon Reshanit, një personi të kërkuar për disa vepra të rënda penale. Reshani u kap nga zyrtarët e Policisë Kufitare të Kosovës gjatë një operacioni të realizuar në afërsi të vijës kufitare me Serbinë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbrëmjen e 3 gushtit, pak pas orës 22:00, zyrtarët e Policisë Kufitare, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së vijës kufitare në pikën kufitare Muçivërcë, përkatësisht në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, identifikuan një automjet të dyshuar. Ky automjet po hynte nga drejtimi i fshatit Breznicë (Serbi) në territorin e Republikës së Kosovës.

Pas vlerësimit të situatës, policia ndërmori veprime të menjëhershme operative dhe automjeti u ndalua në fshatin Novosellë. Gjatë kontrollit, pasagjeri i mjetit, Egzon Reshani, tentoi t’u shmanget zyrtarëve policorë duke ikur me vrap drejt vijës kufitare, përkatësisht në drejtim të fshatit Breznicë në Serbi. Falë reagimit të shpejtë dhe profesionalizmit të zyrtarëve, i dyshuari u ndalua dhe u arrestua në afërsi të vijës kufitare, duke u parandaluar kështu largimi i tij nga territori i Republikës së Kosovës.

Ndaj Reshanit ishte lëshuar një urdhërarrest aktiv dhe ai kërkohej nga organet e drejtësisë për veprat penale si: “Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.