**Jug i Shqipërisë: Rekord lëvizjesh kufitare në korrik, mbi 300 mijë udhëtarë**

Kulmi i sezonit turistik në jug të Shqipërisë ka sjellë një fluks rekord lëvizjesh në pikat kufitare gjatë muajit korrik.

Vetëm në këtë periudhë, pikat kufitare të Kakavijës, Qafë Botës dhe Terminali i Trageteve në Portin e Sarandës kanë regjistruar mbi 304 mijë pasagjerë dhe dhjetëra mijëra automjete. Kjo shifër konfirmon një rritje të ndjeshme të lëvizjeve në kufirin me Greqinë.

Specifikisht, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës u regjistruan mbi 166 mijë pasagjerë dhe rreth 47 mijë automjete. Ndërsa në Qafë Botë dhe Portin e Sarandës u përpunuan 138.189 pasagjerë dhe mbi 38 mijë automjete. Fluksi i udhëtarëve u përballua pa problematika të mëdha nga pala shqiptare, falë organizimit efikas të shërbimeve gjatë sezonit veror.

Muaji gusht parashikohet të shënojë pikun e lëvizjeve, me kthimin e mijëra emigrantëve në atdhe për pushimet verore, duke rritur ndjeshëm fluksin në të gjitha pikat kufitare.

Megjithatë, nuk kanë munguar as problematikat. Në PKK Qafë Botë u regjistruan disa ndërprerje të sistemit, duke shkaktuar vonesa të përkohshme në përpunimin e udhëtarëve.

Në Kakavijë, shqetësimi kryesor gjatë gjithë sezonit ka qenë mënyra e punës e palës greke. Kjo e fundit shpesh ka operuar vetëm me dy sportele, duke krijuar radhë të gjata dhe duke detyruar udhëtarët të presin me orë të tëra për të kaluar kufirin.