Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka mohuar zërat për dorëheqje, duke theksuar në një video të publikuar nga agjenci lajmesh iraniane se nuk ka ndërmend të largohet nga posti. Kjo deklaratë vjen pas disa javësh spekulimesh intensive mbi të ardhmen e tij politike.
Në video, Pezeshkian theksoi se nëse ndonjëherë do të vendoste të japë dorëheqje, ai do ta bënte këtë njoftim zyrtarisht. Ai shtoi: “Për momentin, do të qëndroj i vendosur.”
Presidenti iranian mohoi gjithashtu spekulimet për një përçarje mes tij dhe djalit të Liderit Suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, Mojtaba Khamenei, i cili është përmendur si pasardhës i mundshëm. Pezeshkian u shpreh: “Ata duan të krijojnë përshtypjen se ka një mosmarrëveshje. Lideri thotë një gjë, ndërsa ata pretendojnë se unë them diçka tjetër.”
Videoja, e titulluar “Raport për popullin”, pritet të publikohet e plotë në ditët në vijim.
Zërat për dorëheqjen e Pezeshkianit kanë qarkulluar prej kohësh, veçanërisht pas raportimeve të pakonfirmuara të 28 shkurtit, të lidhura me statusin e Liderit Suprem aktual, ajatollah Ali Khamenei, dhe njoftimit për një pasardhës të tij – djalin e tij Mojtaba. Këto raporte kanë ushqyer spekulimet se Pezeshkian po përgatitej të dorëhiqej.
Së fundmi, Mohammad Baqer Kharazi, sekretar i përgjithshëm i partisë Hizbollahut iranian dhe kunat i Masoud Khamenei – një tjetër djalë i Liderit Suprem Ali Khamenei – ka pretenduar se Mojtaba Khamenei e kishte “paralajmëruar zyrtarisht dhe publikisht” Pezeshkianin se nëse do të paraqiste një tjetër kërkesë për dorëheqje, ajo do të pranohej. Kharazi nuk specifikoi se kur dhe kujt ia kishte bërë Mojtaba Khamenei këtë paralajmërim të pretenduar.
Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur në publik që kur u përmend si pasardhës i babait të tij. Përveç disa deklaratave të shkruara që i atribuohen atij, nuk ka video apo audio të verifikuara prej tij.
