Haxhiu merr detyrën e ushtrueses së Presidentes, kërkon nga deputetët të lënë inatet dhe të zgjedhin kreun e ri të shtetit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, mori sot zyrtarisht detyrën e ushtrueses së Presidentes, pas dorëzimit të Kushtetutës së Kosovës nga Vjosa Osmani. Gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit, Haxhiu falënderoi Osmanin për punën dhe angazhimin e saj.
Duke theksuar rëndësinë e institucioneve të udhëhequra nga persona me integritet të lartë, Haxhiu rikujtoi se, sipas dispozitave Kushtetuese, pozita e ushtruesit të detyrës së Presidentit nuk mund të mbahet më shumë se gjashtë muaj. Për këtë arsye, ajo shprehu shpresën se Kuvendi do të veprojë me shpejtësi për të zgjedhur Presidentin e ri të vendit.
“Faleminderit për punën dhe angazhimin pesëvjeçar. Për Kosovën është me rëndësi të kenë në krye të institucioneve njerëz me integritet të lartë. Rrethanat Kushtetuese e imponojnë që Kryetari i Kuvendit të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit. E dimë që kjo pozitë mbahet jo më shumë se gjashtë muaj dhe shpresoj që Kuvendi të zgjedhë sa më shpejt Presidentin,” deklaroi Haxhiu.
Më tej, ajo iu drejtua grupeve parlamentare me një thirrje të qartë: “Me këtë rast iu bëj thirrje grupeve parlamentare që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e Presidentit. T’i lënë anash inatet e dallimet politike.” Haxhiu theksoi gjithashtu se deri në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, ajo do të angazhohet për të kryer përgjegjësitë e detyrës me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë.
Dorëzimi i Kushtetutës së Kosovës nga Vjosa Osmani shënoi hapin e parë të transferimit të detyrës, ndërsa u bë e ditur se dokumentacioni tjetër i punës do të vijojë më pas. Ky lajm u raportua fillimisht nga Express.
