Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të martën se forcat izraelite nuk do të tërhiqen nga pozicionet e tyre aktuale në Rripin e Gazës derisa Hamasi të çarmatoset plotësisht.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Netanyahu la të kuptohet se ka pasur mosmarrëveshje mes Izraelit dhe administratës së presidentit amerikan Donald Trump lidhur me një marrëveshje të fundit të propozuar për çarmatosjen e grupit militant.
Sipas marrëveshjes, Hamasi do të niste procesin e çarmatosjes, ndërsa Izraeli do të ndalte sulmet dhe do të fillonte tërheqjen nga Gaza. Kjo ishte pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të arritur në muajin tetor, e cila i dha fund operacioneve të mëdha ushtarake, por që ka mbetur e pazbatuar në disa prej pikave të saj.
Megjithatë, Netanyahu ka theksuar se çarmatosja e Hamasit duhet të jetë hapi i parë, duke shtuar se forcat izraelite do të vazhdojnë të bëjnë “çdo gjë të nevojshme për të mbrojtur veten, territorin tonë dhe qytetarët tanë”.
“Administrata Trump na dërgoi një draft. Ne nuk ramë dakord. Nuk është drafti ynë. Ne dërguam komentet tona. Ky është qëndrimi ynë. Ne qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të interesave tona; besoj se këtë e bëjmë me mençuri dhe vendosmëri”, ka shtuar ai.
