**Dushi (LDK): Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje synojnë krizë, jo stabilitet**

Florian Dushi, kryetar i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë, ka reaguar pas takimit të zhvilluar mes kryetarit të partisë së tij, Lumir Abdixhikut, dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurtit.

Në reagimin e tij, Dushi ka artikuluar kritika të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe partisë së tij. Ai ka theksuar se Kurti dhe LVV-ja kanë dëshmuar vazhdimisht mungesë interesi për stabilitetin e vendit.

Sipas Dushit, qëllimi i tyre i vërtetë është krijimi i krizave politike, pasi, siç shprehet ai, “me kriza u rritën dhe në krizë mbijetojnë”. Kryetari i degës së LDK-së në Prishtinë ka pohuar se “krizat i krijojnë, i thellojnë dhe pastaj i shfrytëzojnë politikisht”. Ai ka shtuar se “sa herë vendit i duhet qetësi, normalitet dhe institucione që funksionojnë, ata prodhojnë konflikt, përçarje dhe krizë”.

Këto deklarata, Florian Dushi i ka bërë publike nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook.