**Haradinaj: Opozita duhet të ketë Presidentin ose Kryeministrin**
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se partitë opozitare mund t’i shërbejnë më së miri Kosovës duke qenë bashkëvendimmarrëse në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas Haradinajt, nuk është e shëndetshme për vendin që një parti të marrë pjesë vetëm në qeverisje pa pasur në dorë ndonjë pozitë vendimmarrëse. Ai thekson se, nëse Kryeministri Kurti ka një logjikë demokratike, atëherë do t’i interpretonte rezultatet e zgjedhjeve si një thirrje për bashkëvendimmarrje.
“Kurti po synon ta poshtërojë opozitën duke i ofruar vetëm pjesëmarrje në qeverisje. Udhëheqësit e regjimeve totalitare frikësohen nga bashkëvendimmarrja. Opozita nuk duhet të marrë vetëm pjesë në qeverisje”, ka thënë Haradinaj.
Ai shton se interpretimi i rezultateve si bashkëvendimmarrje është thelbësor. “Nëse nuk i interpreton kështu, është e kotë të ketë takime. Nuk mendoj se opozita e ndihmon Kosovën duke u bërë pjesë e qeverisë vetëm për përfitime pushteti. Opozita e ndihmon Kosovën vetëm nëse bëhet pjesë e vendimmarrjes. Por nëse kemi një rol aktiv në bashkëvendimmarrje, atëherë po [e ndihmon],” ka theksuar Haradinaj.
Përfundimisht, sipas tij, opozita duhet të mbajë njërën prej pozitave kyçe: atë të Presidentit ose të Kryeministrit.
*Marrë nga Gazeta Express*
