**Besnik Tahiri akuzon VV-në: Papërgjegjësi totale zvarritja e konstituimit të Kuvendit**

Ekonomia Online raporton se deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër procesin e zvarritjes së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën si jashtëzakonisht të dëmshme për vendin dhe si papërgjegjësi totale të Lëvizjes Vetëvendosje (VV).

Tahiri theksoi se afatet kushtetuese tashmë kanë kaluar. “Jeni dëshmitarë të një tendence të skajshme, jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën, atë të moskonstituimit të Kuvendit,” tha ai. “Ka kaluar afati kushtetues dhe sot, kur qytetarët prisnin që institucionet të konstituohen, që Kuvendi të jetë funksional dhe të zgjidhet kryetari, Albin Kurti del dhe u thotë se na duhet ende kohë.”

Ai kritikoi kryetarin e VV-së, Albin Kurti, për mungesë të konsultimeve me partitë politike, duke argumentuar se procesi duhej të kishte nisur më herët. “A kishte 30 ditë kohë për të diskutuar me partitë? Nëse qëllimi ka qenë për të dalë nga ky rreth dhe për të pasur një vizion dyvjeçar, pse nuk është folur me partitë për presidentin? Çështja thelbësore është te presidenti,” theksoi Tahiri.

Sipas deputetit të AAK-së, zvarritja e këtij procesi mund të krijojë probleme të reja institucionale dhe mundësi për përplasje kushtetuese. “A dëshironi të krijoni edhe një rast në Gjykatën Kushtetuese? Kjo është papërgjegjësi totale e VV-së,” u shpreh ai.