**Ekstradohet nga Spanja në Kosovë ‘Duka’, i dyshuar për rastin ‘Bon Vivant’**
Policia e Kosovës ka konfirmuar së fundmi ekstradimin nga Spanja të Dukagjin Nikollajt, i njohur me nofkën “Duka”, i cili kërkohej me fletarrest ndërkombëtar.
Ekstradimi i Nikollajt u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor e Policisë së Kosovës, në koordinim me njësitë përkatëse dhe institucionet e drejtësisë. Ai ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle pasi kërkohej përmes INTERPOL-it, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Sipas Policisë, Nikollaj dyshohet për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”. Pas mbërritjes në Kosovë, i dyshuari i është dorëzuar menjëherë njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në Rajonin e Prishtinës, për procedurat e mëtejshme ligjore. Ky ekstradim u realizua në bazë të ligjeve në fuqi dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve spanjolle.
Emri i Dukagjin Nikollajt u bë i njohur për opinionin publik në Kosovë në gusht të vitit 2023, pas një përleshjeje me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant” në qendër të Prishtinës.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin dhe hetimin e veprave kriminale, si dhe kapjen e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.
