Aksident tragjik në Gjermani: Tre mërgimtarë kosovarë humbin jetën, Ambasadori Ajeti: Jemi në kontakt me autoritetet

Tre anëtarë të një familjeje me origjinë nga Komogllava e Ferizajt kanë humbur jetën në një aksident tragjik rrugor në Gjermani, teksa po ktheheshin nga Kosova.

Për këtë tragjedi ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili ka konfirmuar se ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane lidhur me rastin.

Ambasadori Ajeti shprehu ngushëllime të thella për familjarët e viktimave përmes një postimi, ku theksoi: “Me pikëllim të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetës së tre bashkatdhetarëve tanë në një aksident pranë Nittendorfit, në rajonin e Regensburgut në Bavari. Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani është në kontakt me autoritetet gjermane lidhur me rastin. Në këto momente jashtëzakonisht të dhimbshme, u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të viktimave. U prehshin në paqe!”

Viktimat e kësaj tragjedie janë identifikuar si T. Aliu (61 vjeç), djali i tij G. Aliu (34 vjeç) dhe L. Aliu (16 vjeç).