Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka paralajmëruar ngritjen e një padie penale kundër ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati. OVL-UÇK akuzon ministrin se nuk po zbaton një vendim të Gjykatës Supreme lidhur me pensionet e dyfishta të veteranëve dhe po pengon ekzekutimin e mjeteve financiare që, sipas organizatës, u takojnë me ligj.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në një intervistë për Ekonomia Online, deklaroi se organizata tashmë po përgatitet me avokatë për ngritjen e padisë. Ai theksoi se veteranët po përballen me pengesa administrative dhe ekonomike, pavarësisht vendimeve pozitive të marra.

“Gjykata Supreme ka pranuar ankesën tonë dhe ka kthyer një vendim pozitiv, duke njohur të drejtën e veteranëve për pensione të dyfishta,” tha Gucati. “Megjithatë, ne kemi marrë ankesa të shumta nga veteranë që, pavarësisht aplikimeve, nuk u janë shpërndarë fondet nga Ministria e Financave.”

Pengesa kryesore, sipas tij, qëndron te Ministri i Financave, i cili u udhëzon departamentet komunale dhe qendrat sociale të mos pranojnë dokumentacionet. Ai e cilësoi këtë situatë “të turpshme”, pasi veteranët, të cilët kanë të drejtë ligjore të marrin dy pensione (pensionin e veteranit, pensionin e pleqërisë apo të punës), po ballafaqohen me vështirësi edhe në pranimin e dokumentacionit. Megjithëse vendimet lëshohen pozitive, paratë nuk janë ekzekutuar deri më sot.

Gucati konfirmoi se OVL-UÇK do t’i drejtohet drejtësisë me padi penale ndaj ministrit në detyrë të Financave. “Ne jemi duke u përgatitur me avokatë dhe këshilltarë për këtë hap,” theksoi ai. “Na takon të ndërmarrim një padi penale, pasi Ministri i Financave nuk po i lëshon mjetet që u takojnë veteranëve të UÇK-së.”

Ai theksoi gjendjen e rëndë ekonomike e sociale të veteranëve, duke përmendur se mbi 67 prej tyre, sipas informacioneve të OVL-UÇK, vuajnë nga kanceri dhe kanë vështirësi edhe për të siguruar medikamentet apo transportin për te mjeku. Gucati përsëriti se e drejta për pensione të dyfishta është ligjore, e konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme. Ai i bëri thirrje ministrit Murati të zbatojë ligjin dhe të ndajë fondet e nevojshme. Ai paralajmëroi se Ministri Murati do të përballet shumë shpejt me padi penale nga OVL-UÇK dhe organizata të tjera, për shkak të mosaprovimit të kërkesave të veteranëve dhe moszbatimit të ligjit.

Gucati tha se numri i ankesave nga veteranët është i madh dhe se shumë prej tyre po detyrohen të ndjekin rrugë gjyqësore për të realizuar të drejtën e tyre. Ai theksoi se vetëm gjatë ditës së sotme, mbi 30 veteranë janë ankuar në zyrën e tij, disa për vendime negative, të tjerë për mosardhjen e fondeve pavarësisht vendimeve pozitive. Kjo i detyron veteranët t’u drejtohen avokatëve individualisht, duke shkaktuar shpenzime të konsiderueshme. Deri më tani, sipas Gucatit, mbi 2 mijë veteranë i janë drejtuar kësaj rruge.

Sipas tij, pengesa ka edhe në pajisjen e veteranëve me vërtetimet e nevojshme nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës. Ai theksoi se edhe kjo Ministri, përgjegjëse për lëshimin e vërtetimeve të nevojshme, po krijon pengesa. Kjo situatë, sipas tij, synon të pengojë veteranët të marrin pensionin e dyfishtë dhe i detyron ata të shpenzojnë kohë e para për të udhëtuar nga qytete të largëta për dokumente që nuk u lëshohen. OVL-UÇK do t’i drejtohet shpejt edhe ministrit Andin Hoti për këtë çështje.

Gucati e akuzoi ministrin në detyrë të Financave se nuk po zbaton ligjin, duke theksuar se shumë veteranë ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ekonomike. Ai e quajti “paftyrësi të madhe” mosndarjen e mjeteve dhe moszbatimin e ligjit nga ana e Ministrit Murati, veçanërisht duke pasur parasysh numrin e lartë të veteranëve me sëmundje të rënda, si kanceri. Gucati theksoi vështirësinë e këtyre veteranëve për të mbijetuar me pensionin aktual, duke kërkuar nga Ministria e Financave të mos pengojë marrjen e pensioneve të dyfishta dhe të ndalë “maltretimin” e tyre.

Kjo çështje bazohet në një aktgjykim të Gjykatës Supreme të Kosovës, të marrë në korrik të vitit 2016, i cili njohu të drejtën e veteranëve të UÇK-së për të përfituar dy pensione paralelisht: pensionin e moshës (bazë ose kontributpagues) dhe pensionin e veteranit.