**Lushaku-Sadriu: Partia më e madhe mban përgjegjësinë për moskonstituimin e Kuvendit**

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës është përgjegjësi e partisë më të madhe në vend.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve të monitorojnë zhvillimet në Kuvend, për të identifikuar përgjegjësit e situatës aktuale.

“Fatkeqësisht, besimin që qytetarët na e dhanë, si deputetëve ashtu edhe subjekteve politike, ishte për të konstituuar institucionet dhe për t’i bërë funksionale, në shërbim të shtetit të Kosovës. Mirëpo, po vërejmë një papërgjegjësi të plotë nga partia më e madhe, e cila nuk po e përmbush detyrimin e saj kushtetues për të propozuar emrin e kryetarit të Kuvendit dhe për të mundësuar votimin e konstituimin e tij. Kjo është vërtet fatkeqësi dhe shfaqje e një papërgjegjësie të madhe nga ana e tyre. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë dëshmitarë të kësaj tabloje të një Kuvendi që mblidhet, por nuk arrin të konstituohet, duke e ngarkuar përgjegjësinë mbi subjektin më të madh politik,” theksoi Lushaku-Sadriu.