Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se mungon vullneti politik për krijimin e institucioneve. Këtë deklaratë ai e bëri publike, siç raporton Ekonomia Online.

Gashi theksoi se çështja nuk qëndron tek aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, por tek mungesa e vullnetit politik.

“Ka vërejtje, sugjerime dhe këndvështrime të ndryshme, por problemi kryesor nuk është Kushtetuta apo aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Problemi thelbësor është vullneti politik. Pra, mungon vullneti politik për të ndërtuar institucionet. Kjo është një çështje tjetër që mund të diskutohet. Unë po them se mungon vullneti politik për të gjetur një zgjidhje dhe për të ecur përpara. Kur mungon vullneti politik, atëherë shkojmë në seancë dhe i matim forcat. Forca matet me vota. Dhe, meqenëse e drejta kushtetuese i është garantuar partisë apo koalicionit fitues, ata duhet të vijnë, të propozojnë një emër dhe të marrin pjesë në procesin e votimit,” përfundoi Gashi.