**Rama reagon ashpër ndaj deklaratës së Zelenskyt në Beograd: “Kur Kosova nuk respektohet, Prishtina përgjigjet”**
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, duke urdhëruar heqjen e banderolës me mbishkrimin “Free Ukraine” (Ukrainë e Lirë) nga qendra e kryeqytetit. Rama publikoi në Facebook momentin e largimit të banderolës, duke shpjeguar arsyet e këtij vendimi.
Përmes një postimi në rrjetin social, Rama theksoi se shteti i Kosovës duhet të respektohet dhe se Prishtina do të përgjigjet gjithmonë në të njëjtën mënyrë sa herë që shtetësia e saj nuk njihet apo nënçmohet.
“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, Kryeqyteti Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë. Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet. Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, shkroi Rama.
