**Ipeshkvi Dodë Gjergji nga Mesha e Pashkëve: Thirrje për paqe dhe përgjegjësi**
Mesha solemne e Pashkëve, e mbajtur mbrëmë në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë dhe e drejtuar nga Ipeshkvi Dodë Gjergji, përcolli mesazhe të fuqishme paqeje.
Kjo festë qendrore për besimtarët katolikë u shënua me thirrje për reflektim shpirtëror, dashuri dhe pajtim, si dhe për ripërtëritje të shpresës në familjet shqiptare.
Në fjalën e tij, Ipeshkvi Gjergji u apeloi liderëve politikë të vendit të tregojnë përgjegjësi në ushtrimin e detyrave, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë.
Ai gjithashtu u lut për ndaljen e menjëhershme të luftërave në botë dhe për mbizotërimin e paqes e qetësisë.
“I ftojmë edhe autoritetet politike të vendit tonë që të jenë më të ndërgjegjshëm për kohën që jetojmë, por edhe më të përgjegjshëm për detyrat dhe obligimet që kanë për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë. Kjo do t’u mundësojë të gjithëve aftësinë, guximin dhe zotësinë për dialog me njëri-tjetrin, si dhe të respektojmë të kaluarën ndërsa ndërtojmë të ardhmen”, theksoi Ipeshkvi.
Ai vijoi me thirrjen për paqe globale: “Ta kujtojmë paqen në botë. Dashtë Zoti që sa më parë të ndalohet zhurma dhe krisma e armëve që të ngadhënjejë qetësia”.
Pashkët janë festa kryesore e krishterimit, që simbolizon ringjalljen e Krishtit dhe përçon mesazhe shprese, ripërtëritjeje dhe jete të re. Në Kosovë, kjo festë kremtohet çdo vit me meshë solemne dhe pjesëmarrje të gjerë të besimtarëve, duke theksuar rëndësinë e saj shpirtërore dhe shoqërore.
