Kryetari i Vushtrrisë, Idrizi: Buxheti i pamjaftueshëm, tre milionë euro na u morën për kontratat kolektive të mësimdhënësve

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka deklaruar se buxheti i komunës nuk është i mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat në rritje të qytetarëve. Ai ka theksuar se vetëm vitin e kaluar, komunës i janë marrë tre milionë euro për kontratat kolektive të mësimdhënësve, duke cenuar realizimin e projekteve të planifikuara.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Idrizi shpjegoi se pavarësisht kufizimeve, është bërë një planifikim buxhetor për realizimin e projekteve. “Buxheti asnjëherë nuk është i mjaftueshëm, pasi kërkesat janë në rritje të vazhdueshme. Megjithatë, ne kemi bërë një planifikim buxhetor solid, me të cilin besojmë se do t’i realizojmë objektivat dhe projektet e planifikuara për këtë vit,” tha Idrizi.

Ai sqaroi se për shkak të këtij buxheti të kufizuar, shumë projekte kanë mbetur jashtë listës. “Na kanë mbetur shumë projekte jashtë listës për shkak të kontratës kolektive. Vlen të theksohet se vetëm vitin e kaluar na janë marrë tre milionë euro për kontratën kolektive të mësimdhënësve. Tani, sërish, pagesat nga përmbaruesit duhet të kryhen. Këto pagesa na dëmtojnë shumë, pasi nuk janë të planifikuara dhe nuk kanë linjë të veçantë buxhetore, ndonëse duhej t’i paguante qeveria qendrore dhe na kanë mbetur ne si barrë. Përmbaruesi i merr këto fonde nga kodet buxhetore të investimeve kapitale, prandaj ditët në vijim do ta dimë saktësisht se cilat projekte do të preken dhe ku do të kemi vështirësi,” theksoi Idrizi.

Si zgjidhje për këtë problem, Idrizi propozoi themelimin e Grantit të Katërt, që do të siguronte një ndarje buxhetore proporcionale në bazë të numrit të banorëve.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte Granti i Katërt, i kërkuar edhe nga Asociacioni i Komunave. Me një ndarje proporcionale të këtij granti bazuar në numrin e banorëve, nuk do të kishim më probleme. Kështu, nuk do të ishte e nevojshme që ministritë e linjës të ndërhynin për t’u dhënë fonde komunave në mënyra dhe me arsyetime të ndryshme, por do të ndahej granti i katërt dhe puna do të kryhej,” u shpreh kreu i Komunës së Vushtrrisë.

Të njëjtën zgjidhje e mbështet edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, i cili vazhdimisht kërkon themelimin e Grantit të Katërt.