Avokati Ardian Bajraktari ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me situatën aktuale politike në Kosovë, duke theksuar se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ligjor ka krijuar një gjendje kundërkushtetuese.

Bajraktari ka kujtuar se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet jo më vonë se 30 ditë nga data e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Meqenëse ky afat tashmë ka kaluar dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur, sipas tij, vendi ndodhet në një situatë ku ligji themeltar po shkelet.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për ushtrimin e funksioneve të tjera nga personat që njëkohësisht mbajnë mandatin e deputetit. Avokati theksoi se një situatë e tillë është e papajtueshme me detyrën e deputetit, duke përfshirë këtu edhe funksionet brenda Qeverisë. “Edhe kjo po ndodh,” ka deklaruar Bajraktari.

Por ajo që e shqetëson më shumë avokatin është mënyra se si kjo gjendje po trajtohet nga institucionet dhe shoqëria. Ai vë në dukje se po krijohet përshtypja sikur shkeljet kushtetuese dhe ligjore janë bërë diçka e zakonshme.

“Kur kundërkushtetutshmëria dhe kundërligjshmëria fillojnë të trajtohen si diçka e zakonshme,” ka shkruar Bajraktari, “atëherë nuk po normalizohet vetëm shkelja e Kushtetutës dhe ligjit, por po normalizohet edhe shkelja e rendit kushtetues dhe institucional.”

Sipas Bajraktarit, pasojat e kësaj situate janë shumë më serioze sesa vetë shkeljet kushtetuese, pasi ato rrezikojnë thelbin e sistemit institucional të vendit.