Dy incidente me armë zjarri në Skënderaj: Plumb në automjet dhe në banesë

Dy incidente të veçanta me armë zjarri janë regjistruar në Skënderaj gjatë 24 orëve të fundit, sipas raportimeve të Policisë së Kosovës.

Në rastin e parë, një qytetar ka denoncuar se xhami i automjetit të tij është dëmtuar, duke dyshuar se shkaktar ishte një plumb. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 19:00 dhe fatmirësisht, nuk ka pasur persona të lënduar.

Vetëm pak orë më vonë, rreth orës 22:30, një tjetër qytetar ka njoftuar organet e rendit se një plumb kishte depërtuar nëpër çatinë e shtëpisë së tij dhe kishte rënë brenda banesës.

Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur dhe sekuestruar një predhë, e cila dyshohet se i përket një arme zjarri të tipit AK-47.

“Nuk ka persona të lënduar, rasti është nën hetime,” thuhet në raportin zyrtar të Policisë.