Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dënuar deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Ajo i ka cilësuar këto deklarata si kërcënuese dhe një shqetësim serioz për Kosovën, duke theksuar nevojën për adresimin urgjent të tyre me partnerët ndërkombëtarë.

Haxhiu kërkoi nga diplomatët kosovarë që të informojnë qeveritë e vendeve ku shërbejnë për pasojat e mundshme të një ndërhyrjeje në rrjedhat ujore ndërkufitare. Ajo nënvizoi rëndësinë jetike të sistemit Ibër-Lepenc dhe Liqenit të Ujmanit, të cilët janë thelbësorë për furnizimin me ujë, energji dhe bujqësi, si dhe për jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës.

“Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngase do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë,” theksoi Haxhiu.

Ajo shtoi se diplomatët duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë, duke informuar qeveritë pritëse për “natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese”. Haxhiu paralajmëroi se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla “ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese”.

Kosova pret nga partnerët ndërkombëtarë që çdo veprim që rrezikon burimet ujore jetike për vendin të trajtohet në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, duke përfshirë përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të tyre, si dhe detyrimin për të parandaluar dëmin e konsiderueshëm ndërkufitar.

Haxhiu foli gjithashtu për raportet me Serbinë, duke theksuar se Beogradi duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe qytetarëve, si dhe për dorëzimin e Milan Radojçiqit. Një çështje tjetër thelbësore, sipas saj, është zbardhja e fatit të mbi 1500 personave të zhdukur gjatë luftës. Ajo theksoi se adresimi i këtyre çështjeve është “pjesë e domosdoshme e çdo procesi që synon një normalizim të vërtetë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Presidentja në detyrë përmendi edhe zhvillimet e fundit në Zubin Potok, ku në lokacionet Kalludër e Vogël dhe Jabuk janë gjetur mbetje mortore, të dyshuara se u përkasin viktimave të luftës së viteve 1998-1999. Ajo bëri thirrje për presion ndaj Serbisë për hapjen e arkivave, duke nënvizuar se “edhe sot, në Kosovë, po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës dhe se drejtësia për viktimat e familjet e tyre ende pret përgjigje”.

Këto deklarata, Haxhiu i bëri në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, një aktivitet i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.