Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUVK), në bashkëpunim me inspektoratin përkatës të Ministrisë së Bujqësisë, ka konstatuar mospërputhje mes deklarimit dhe përbërjes së 26 produkteve të kompanisë “Abrazen L.L.C. – Qumështorja Vita”.
Autoritetet bënë të ditur se gjatë një inspektimi në ambientet e kompanisë janë evidentuar sasi të konsiderueshme të qumështit pluhur dhe vajit bimor, i cili rezultoi të kishte karakteristikat e vajit të palmës.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, konfirmoi se analizat laboratorike dhe kontrollet kanë nxjerrë në pah praninë e yndyrës bimore në 26 lloje produktesh të prodhuara nga kjo kompani.
“Qumështi, djathi, maza dhe gjiza janë zëvendësuar me vaj palme dhe jo me qumësht lope,” deklaroi Muja. Ai shtoi se përdorimi i këtyre përbërësve nuk ishte shënuar në etiketat e produkteve për konsumatorët, duke çuar në mashtrimin e tyre.
