**Rriten rastet e fruthit në Kosovë, numri arrin në 112**
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se numri i përgjithshëm i rasteve të fruthit të regjistruara në vend ka arritur në 112, pas 13 rasteve të reja të shënuara gjatë javës së fundit.
Situata konsiderohet veçanërisht shqetësuese nga IKShPK-ja, për shkak të një rritjeje të shpejtë të rasteve brenda një muaji: nga 62 raste të raportuara më 10 korrik, numri arriti në 112 deri më 10 gusht, me 50 raste të reja të regjistruara.
Sipas shpërndarjes gjeografike, Prishtina mbetet komuna me numrin më të lartë të rasteve, me 37 të tilla. Pas saj vijnë Fushë-Kosova me 29 raste, Ferizaj me 12, Kaçaniku me shtatë dhe Obiliqi me gjashtë. Nga tre raste janë regjistruar në Drenas dhe Lipjan, ndërsa nga dy raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime, Shtërpce dhe Vushtrri. Nga një rast është raportuar në Deçan, Graçanicë, Podujevë dhe Viti.
Gjatë javës së fundit, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit (Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj). Kjo ka rezultuar në vaksinimin me MMR të gjithsej 147 fëmijëve që kishin vonesa në kalendarin e rregullt të vaksinimit.
IKShPK-ja rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë apo konjunktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
Duke theksuar infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes në komunitet dhe komplikimet që shkakton, IKShPK-ja u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, profesionistëve shëndetësorë, prindërve dhe gjithë komunitetit për një angazhim të përbashkët në parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së tij. Theksohet se vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.
