Trump: Marina Amerikane ka kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit, e pastruam nga minat
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të hënën se vendi i tij ka pastruar nga minat Ngushticën e Hormuzit dhe se forcat detare amerikane kanë kontrollin e plotë të kësaj rruge detare jetike.
“Ngushtica është e hapur tani. E vetmja që ka kontrollin e Ngushticës së Hormuzit aktualisht është Marina e Shteteve të Bashkuara,” – theksoi Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale, sipas raportimit të televizionit CNN.
“Ata, herë pas here, lëshojnë mina dhe ne i gjejmë. Ne e kemi pastruar tërë ngushticën nga minat, siç ndoshta keni dëgjuar, ose ndoshta jo,” – shtoi presidenti amerikan.
Ai theksoi më tej se Shtetet e Bashkuara e kontrollojnë Ngushticën e Hormuzit “100 për qind”.
Më herët gjatë së hënës, Trump vendosi një kusht të ri për bisedimet me Iranin, duke deklaruar se do të kërkojë dëmshpërblim nga ky shtet për vrasjet e kryera në të kaluarën. Kjo vjen pasi Teherani kishte theksuar se rihapja e Ngushticës së Hormuzit do të kërkonte dëmshpërblim nga SHBA-ja për sulmet e saj ndaj Iranit.
Irani, nga ana e tij, ka deklaruar se një marrëveshje me Omanin për menaxhimin e ngushticës nuk do të jetë e mjaftueshme për rihapjen e saj, pa u plotësuar më parë lista e kushteve nga Shtetet e Bashkuara.
