Një i ri u plagos me armë zjarri mbrëmjen e së hënës në Dumnicë të Poshtme, Podujevë, teksa po qëndronte në oborrin e shtëpisë së tij. Viktima, G. Hasani, është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Hasani dyshohet se është goditur nga një plumb në këmbë. Pas ndihmës së parë mjekësore të marrë në Urgjencën e Podujevës, ai u transferua menjëherë në QKUK për kujdes të mëtejshëm.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 23:00, ndërsa policia është njoftuar rreth orës 00:20 të datës 11 gusht. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe hetuesit, të cilët kanë nisur ekzaminimin e zonës dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj plagosjeje.

Një dëshmi kyçe për incidentin është dhënë nga A.H., 25-vjeçare, motra e të plagosurit. Ajo ka deklaruar se, ndërsa po qëndronin të ulur në oborr, dëgjoi papritur një krismë, të cilën fillimisht e kishte konsideruar një zhurmë të parëndësishme, si ajo e një shkrepëseje. Vetëm pak çaste më vonë, ajo vuri re gjakun që i dilte vëllait nga këmba. E tronditur nga pamja, ajo tregon se i kishte rënë të fikët dhe nuk mban mend asgjë nga çfarë ndodhi më pas.

Policia ka kryer patrullime në zonën përreth, por, sipas informacioneve fillestare, nuk është konstatuar asgjë e dyshimtë që lidhet drejtpërdrejt me ngjarjen. Ende nuk është identifikuar kush ka shtënë, nga cili drejtim ka ardhur plumbi, si dhe nëse i plagosuri ishte objektiv i qëllimshëm i të shtënave apo është goditur aksidentalisht. Këto rrethana mbeten për t’u sqaruar gjatë fazës së hetimeve.