Rifat Latifi kritikon ashpër Zelenskyn: Mosnjohja e Kosovës dhe afrimi me Vuçiqin, ‘rruga e gabuar’
Ish-ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi, i ka dërguar një letër të hapur presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shprehur zhgënjim të thellë pas deklaratës së këtij të fundit në Beograd se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Në letër, Latifi thekson se pozicioni i Kievit bie ndesh me interesat dhe përvojën e vetë Ukrainës, duke argumentuar se çdo argument i përdorur kundër pavarësisë së Kosovës është shfrytëzuar edhe kundër Ukrainës, nga e njëjta fuqi dhe me të njëjtat fjalë.
Ai kujton mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën që nga fillimi i agresionit rus, duke përmendur mbështetjen për sanksionet evropiane dhe amerikane ndaj Rusisë, strehimin e gazetarëve dhe familjeve ukrainase, si dhe njohjen e integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj ndërkombëtarisht të njohur, përfshirë Krimenë.
Latifi shtoi se, si shqiptaro-amerikan nga Kosova, ai personalisht e kishte vizituar Ukrainën për të ofruar ndihmë pas pushtimit fillestar, duke shprehur shpresën se në një vizitë të ardhshme do ta shohë atë të lirë.
Ish-ministri argumenton se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës është veçanërisht zhgënjyes për shkak të ngjashmërive mes përvojës së Kosovës dhe asaj që po përjeton Ukraina. “Ne e dimë se çfarë po durojnë njerëzit tuaj, sepse e kemi duruar edhe vetë, nga e njëjta doktrinë dhe në kujtesën tonë të gjallë,” shkruan Latifi.
Ai kritikoi ashpër edhe afrimin e presidentit Zelensky me homologun serb Aleksandar Vuçiq, duke paralajmëruar se bashkëpunimi me Beogradin dhe përpjekjet për afrimin me Moskën përbëjnë “rrugën e gabuar”. “Nëse po krijoni aleanca me Vuçiqin, duke u përpjekur të bëheni mik me Putinin, ju keni zgjedhur rrugën krejtësisht të gabuar,” theksohet në letër.
Letra përfundon me shprehjen e solidaritetit me popullin ukrainas dhe me thirrjen që Ukraina të qëndrojë në anën e Kosovës. “Me respekt, dhe me solidaritet të vazhdueshëm për popullin e Ukrainës,” nënshkruar nga Prof. Dr. Rifat Latifi, ish-Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës.
