Maliqi: Ukraina e ndihmoi Kosovën indirekt; reagimet histerike ndaj Zelenskyt nuk na nderojnë
Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka reaguar sërish në lidhje me deklaratën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Gjatë vizitës së tij në Serbi, Zelensky kishte theksuar se qëndrimi i shtetit të tij për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur nuk ka ndryshuar.
Maliqi theksoi se Ukraina e ka ndihmuar Kosovën “shumë më tepër në mënyrë indirekte”. Ai shtoi se, megjithëse reagimi ndaj qëndrimit të Zelenskyt është i kuptueshëm dhe i nevojshëm, “reagimet histerike nuk na nderojnë”.
Maliqi shkroi: “E fundit për këtë temë: Ukraina e ka ndihmuar Kosovën shumë më tepër në mënyrë indirekte, duke u bërë mburojë evropiane kundër Rusisë dhe duke i dobësuar kësaj të fundit kapacitetin destabilizues, përfshirë edhe në Ballkan. Po të mos kishte rezistuar Ukraina siç ka bërë, sot ka shumë gjasa që edhe ne të ishim në luftë, ose përballë një Serbie shumëfish më të rrezikshme. E gjithë Evropa i ka borxh për këtë kontribut. Njohja do të vijë në momentin më të përshtatshëm. Reagimi ndaj qëndrimit të Zelenskyt është i kuptueshëm dhe i nevojshëm (madje shumë i mirë nga ana institucionale), por kalimi në reagime histerike dhe të pamatura nuk na nderojnë.”
