Burim Ramadani: Bllokada katërditore e Kuvendit dëmton rëndë qytetarët

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka reaguar ashpër lidhur me bllokadën e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë si ditën e katërt të vonesës në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka theksuar se kjo situatë po prek drejtpërdrejt xhepat e qytetarëve.

Ramadani ka kritikuar ashpër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke theksuar se refuzimi i tyre për të propozuar dhe zgjedhur Kryetarin e Kuvendit po shkakton rritje të çmimeve, veçanërisht të naftës.

“Derisa deputetët e pushtetit refuzojnë të propozojnë e të zgjedhin Kryetarin e Kuvendit, çmimi i naftës ka shkuar në gati 1.70 euro. Secila ditë vonesë e dëmton drejtpërdrejt xhepin e familjeve kosovare,” ka shkruar Ramadani në postimin e tij.

Ai ka ritheksuar gatishmërinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për të kontribuar në zhbllokimin e situatës politike dhe ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të pranojë ofertën gjashtëpikëshe të AAK-së.

“Ne jemi këtu, të gatshëm si çdo herë. Pranojeni ofertën gjashtëpikëshe të Aleancës, mos e bojkotoni mirëqenien e qytetarëve! Mbajeni pushtetin, por mos e bllokoni shtetin!” ka përfunduar deputeti Ramadani.