Një grua zvicerane, Susanne, pretendon se është vajza e mbretit të rock ‘n’ roll-it, Elvis Presleyt. Pretendimi i saj vjen pas vitesh kërkimesh për t’i dhënë përgjigje pyetjes që e ka munduar gjithë jetën: “Kush është babai im?”

Nëna e saj qëndroi e heshtur deri në vdekjen e saj, duke marrë përgjigjen me vete në varr. Vetëm shumë vite më vonë, Susanne filloi të hulumtonte thellë të kaluarën e familjes. Me çdo zbulim, çdo fotografi dhe çdo dokument, ajo po krijonte një panoramë që nuk e linte të qetë. “Unë besoj se Elvis Presley është babai im,” zbulon ajo në një intervistë me “20 Minuten”.

Susanne arriti në këtë përfundim pas mbledhjes së një sërë të dhënash që mbështesin tezën e saj. Sipas kërkimit të saj, nëna e saj e takoi Elvis Presleyn në vitin 1959, gjatë shërbimit të tij ushtarak në Gjermani. Më pas, ajo jetoi në SHBA nga viti 1961 deri në fund të vitit 1963, për t’u kthyer më pas në Zvicër shtatzënë.

Pak më vonë, nëna e saj u martua me burrin që e rriti Susannen si vajzën e tij. “Babai im adoptues më mori dhe më rriti. Do t’i jem gjithmonë mirënjohëse për këtë. Nuk doja kurrë ta lëndoja me kërkimin tim,” thekson Susanne. Kjo ishte arsyeja pse ajo nisi të investigonte seriozisht origjinën e saj vetëm pas vdekjes së tij.

Susanne kaloi katër vjet duke kryer kërkime të thelluara. Ajo bëri një test ADN-je, kontrolloi arkiva familjare, fotografi dhe dokumente, udhëtoi në Memphis dhe kërkoi të dhëna në grupet e fansave të Elvis Presleyt në mediat sociale. Me çdo zbulim, bindja e saj rritej se po i afrohej të vërtetës për historinë e saj familjare.

Ndër provat më të rëndësishme është një fotografi e vjetër e nënës së saj me një kitarë ku është shkruar emri “Conny”. Alessandro Pippia, një ekspert i autografeve i konsultuar prej saj, arriti në përfundimin se mbishkrimi përputhet me karakteristikat e njohura të shkrimit të dorës së Elvis Presleyt. Për Susannen, ky nuk është një rastësi, pasi “nëna ime gjithë jetën e saj e kishte nofkën Conny.” Në sfond të të njëjtës fotografi, duket edhe një foto familjare, e cila, sipas kërkimit të Susanne-s dhe Pippia-s, supozohet të jetë ajo e Jesse D. Presley, gjyshit të Elvis Presleyt.

Një shënim i shkruar me dorë e intrigon atë edhe sot e kësaj dite. Ai përmban fjalët “Do të të dua përsëri, thuaj se do të jesh besnik.” Sipas vlerësimit të Pippia-s, edhe ky shkrim dore shfaq karakteristika të shumta që përputhen me ato të Elvis Presleyt. Për Susannen, shkrimi i dorës dhe fotografia tregojnë qartë një marrëdhënie personale mes nënës së saj dhe Elvisit.

Gjatë kërkimit të saj, Susanne zbuloi edhe më shumë fotografi. Në një grup fansash të Elvis Presleyt, ajo gjeti një foto që dyshohet se tregon nënën e saj me artistin në një livadh. Në një tjetër fotografi, ajo njohu nënën e saj pranë Priscilla Presleyt në Graceland, me Cadillac-un rozë të Elvis Presleyt në sfond.

Burimi: Indeksonline