Një shtetas suedez, 29 vjeç, është arrestuar në Durrës, pasi u kap duke posedur një pistoletë pa leje. Ai u ndalua nga Policia e Durrësit në kuadër të operacionit të koduar “Siguria”, gjatë të cilit shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik.
Shtetasi me inicialet O. K., 29 vjeç, u kontrollua nga efektivët e policisë, të cilët i gjetën në çantën personale një pistoletë me karikator të mbushur me fishekë, të cilat i posedonte pa leje.
Për këtë rast, 29-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa arma e zjarrit, karikatori dhe fishekët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
