Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump e ka paralajmëruar FIFA-n se do ta bënte një “gabim të tmerrshëm” nëse do të vendoste ta largojë Gianni Infantinon nga drejtimi i organizatës më të lartë të futbollit botëror.

Infantino është vënë nën presion pas planit të tij të dështuar për t’ju shitur investitorëve privatë aksione në Kupën e Botës për meshkuj.

Megjithatë, në një postim të publikuar herët të martën në rrjetin e tij social, “Truth Social”, Trump e cilësoi largimin e presidentit të FIFA-s si një veprim që do t’i kushtonte shumë futbollit botëror.

“FIFA do ta bënte një gabim të tmerrshëm nëse, për çfarëdo arsyeje, do të mendonte qoftë edhe për zëvendësimin e presidentit Gianni Infantino. Ai është fantastik dhe sapo e ka drejtuar Kupën e Botës më të suksesshme, katër herë më të suksesshme se çdo Botëror tjetër i zhvilluar ndonjëherë. Nëse ai largohet, ajo nuk do të jetë kurrë më kaq e suksesshme apo fitimprurëse!”

Ndërkohë, UEFA dhe dy konfederata të tjera i kanë zhvilluar bisedimet e para për mundësinë e organizimit të garave të tyre, në një zhvillim që vjen pas reagimeve të ashpra ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Federata Evropiane e Futbollit, Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) dhe Concacaf, që e mbulon futbollin në Karaibe, Amerikën e Veriut dhe Amerikën Qendrore, e kanë akuzuar Infantinon për “mashtrim”.

Sipas raportimeve, këto organizata duan t’ia japin Infantinos mundësinë ta japë dorëheqjen dhe të largohet nga posti me dinjitet, pa e kërkuar një mandat të ri në zgjedhjet e marsit të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, ato po përpiqen të mbrohen nga kriza që po zhvillohet rreth FIFA-s.

UEFA ka kërcënuar më herët edhe me bojkotimin e garave të FIFA-s.

Infantino kërkoi falje për propozimin e tij për krijimin e Fifa Forward Enterprise (FFE), një kompani që do t’i menaxhonte aspektet komerciale dhe operative të turneve të FIFA-s.

Plani parashikonte që rreth 20 për qind e kompanisë t’u shitej investitorëve privatë.

Ndërkohë, një letër e hapur e nënshkruar nga drejtuesit e UEFA-s, AFC-së dhe Concacaf-it i ka kërkuar FIFA-s ta zhvillojë një hetim të pavarur mbi skemën e propozuar nga Infantino, pa e përmendur drejtpërdrejt presidentin zviceran.

“Udhëheqja në futboll nuk është pronë personale. Nuk bëhet fjalë për ta mbajtur – apo për ta kërkuar – pushtetin për vete. Është një detyrë për t’i shërbyer familjes së futbollit që na ka besuar autoritetin. Kur besimi thyhet përmes mashtrimit, kur një individ e vendos veten mbi kolektivin që ia ka besuar autoritetin, kjo detyrë është braktisur”, thuhej në letër. /Gazeta Express