Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar me senatoren Joni Ernst, të cilën e ka cilësuar si një nga miket e mëdha dhe avokueset më të zëshme të Kosovës në Kongresin e SHBA’ve.

Kurti, në postimin e tij ka thënë se, Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në prezencë të përhershme ushtarake në Kosovë, dhe se, një prezencë e tillë do të shërbente si garantuese për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon, si dhe një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore.

Postimi:

Pas takimit që patëm në shtator të vitit të kaluar në Washington DC pata kënaqësinë të pres në Zyrën e Kryeministrit senatoren Joni Ernst, një nga miket e mëdha të Republikës dhe avokueset më të zëshme të Kosovës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën e falënderova për mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në thellimin e partneritetit midis dy vendeve tona.

Me senatoren Ernst biseduam për progresin e dukshëm që Kosova ka shënuar në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë. Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në prezencë të përhershme ushtarake në Republikën tonë. Një prezencë e tillë do të shërbente si garantuese për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon, si dhe një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore.

Po ashtu, biseduam edhe për situatën politike në vend dhe për rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve me partitë politike parlamentare për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve.