Analisti politik, Shenoll Muharremi, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet politike në vend, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtën ligjore t’i largojnë nga zyrat e qeverisë kryeministrin dhe ministrat, të cilët, sipas tij, po qëndrojnë ilegalisht në këto pozicione pas betimit si deputetë.

Muharremi ka vënë në pah vendimin e Gjykatës Supreme, i cili bën të qartë se një person nuk mund të mbajë njëkohësisht pozicionin e deputetit të betuar dhe atë të kryeministrit apo ministrit.

Ai theksoi se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë zbatimin e ligjit dhe, në situata ekstreme kur ligji nuk respektohet, të veprojnë për t’i larguar zyrtarët nga zyrat qeveritare.

Analisti i cilësoi zyrtarët aktualë si “uzurpatorë” që po qëndrojnë “ilegalisht” dhe po marrin vendime në “anarki”, “duke shkelur Kushtetutën dhe duke mos respektuar ligjet e vendimet e gjykatave”. Muharremi bëri thirrje për ndaljen e kësaj “çmendurie” dhe kthimin te rendi e ligji, duke i shmangur “uzurpimin e institucioneve dhe shkeljet kushtetuese”.

Sipas tij, ata që nuk respektojnë ligjet dhe rregullat demokratike janë “anarkistë ose komunistë e bolshevikë, vetëm demokratë e njerëz të civilizuar me kulturë e norma europiane nuk janë”. Ai paralajmëroi se veprimet e tyre mund t’i çojnë në burg nëse sistemi i drejtësisë do të lëvizë.

Lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Muharremi sqaroi se ajo mbetet në detyrë si qeveri në detyrë, por theksoi se ata që janë deputetë dhe po veprojnë si kryeministra e ministra, duhet të largohen nga zyrat. Ai theksoi rëndësinë e konstituimit të Kuvendit për të formuar një qeveri legjitime, pasi votat e qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit u janë dhënë për këtë qëllim.