Marcus Rashford pranë transferimit të përhershëm te Barcelona, pas paraqitjes shkëlqyese ndaj Atleticos.
Marcus Rashford është gjithnjë e më pranë një transferimi të përhershëm te Barcelona, pas një paraqitjeje të shkëlqyer në fitoren ndaj Atletico Madridit.
Sulmuesi, i huazuar nga Manchester United, ka ringjallur karrierën e tij në La Liga dhe po bëhet gjithnjë e më vendimtar për klubin katalanas.
Rashford ishte figura kryesore në stadiumin “Metropolitano”, duke kompensuar mungesën e Raphinhas me një paraqitje shumë efikase.
28-vjeçari barazoi rezultatin pak para pushimit me një goditje të fuqishme me të majtën, pas një kombinimi të bukur me Dani Olmo.
Përveç golit, ai regjistroi 51 prekje të topit dhe krijoi tre raste të pastra për bashkëlojtarët e tij.
Kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në sulm, pasi tregoi edhe përkushtim në mbrojtje me dy rikuperime topi.
“Jam krenar që ndihmova me një gol që mund të jetë vendimtar për fatin e La Ligës,” deklaroi Rashford pas ndeshjes. Goli i tij ishte gjithashtu historik, duke shënuar golin e 300-të në epokën e trajnerit Hansi Flick te Barcelona në të gjitha kompeticionet.
Me 11 gola dhe 11 asistime këtë sezon, transferimi i përhershëm i Rashford është bërë prioritet për drejtuesit në “Camp Nou”.
Barcelona ka një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh, një shumë që tani duket shumë e favorshme duke parë formën e tij aktuale.
Klubi po shqyrton mënyra të ndryshme për të realizuar marrëveshjen, përfshirë një tjetër huazim me detyrim blerjeje ose pagesa me këste, për shkak të vështirësive financiare.
Ndërkohë, në “Old Trafford”, drejtuesit e rinj të Manchester United, të udhëhequr nga Sir Jim Ratcliffe dhe grupi INEOS, po planifikojnë një revolucion në skuadër.
Klubi synon të mbledhë rreth 100 milionë stërlina duke shitur tetë lojtarë këtë verë, dhe shitja përfundimtare e Rashford te Barcelona konsiderohet një pjesë kyçe e këtij plani, pasi preferohet një marrëveshje e menjëhershme dhe përfundimtare në vend të një tjetër huazimi.
