Zinedine Zidane realizon ëndrrën e tij pas vitesh pritjeje: do të drejtojë Francën. Ish-trajneri i Real Madridit ka refuzuar të gjitha ofertat e tjera për shkak të dëshirës së tij të kahershme për të marrë drejtimin e kombëtares.
Rikthimi i “Zizou”-s në botën e trajnerimit, këtë herë në krye të një kombëtareje, është tashmë çështje kohe. Kjo ka qenë një ëndërr e vjetër për legjendën franceze, për të cilën ai ka refuzuar shumë mundësi të tjera joshëse.
Zidane pritet të pasojë Didier Deschampsin, i cili do të largohet nga “Les Bleus” pas Kupës së Botës 2026, që do të jetë edhe turneu i tij i fundit në krye të Francës.
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle “AS”, Zidane tashmë ka finalizuar marrëveshjen me Federatën Franceze të Futbollit. Ai do të marrë drejtimin e kombëtares pas Botërorit 2026, duke i dhënë fund një pauze katërvjeçare nga puna si trajner, pas aventurës së tij të dytë me Real Madridin.
Në javët e fundit, Zidane ka marrë oferta për t’u rikthyer menjëherë në drejtimin e klubeve të mëdha, por i ka refuzuar ato prerazi, duke detyruar klubet e interesuara të kërkojnë alternativa të tjera.
Trajneri, që fitoi tre tituj radhazi të Ligës së Kampionëve me Real Madridin, ka sqaruar se e ardhmja e tij ishte vendosur prej kohësh dhe marrëveshja me federatën franceze ekzistonte tashmë.
Gjatë kësaj periudhe larg fushës, emri i tij është lidhur vazhdimisht me një rikthim te Real Madridi, i vetmi klub që ai ka drejtuar në karrierën e tij si trajner, përfshirë edhe ekipin rezervë.
Pavarësisht disa tensioneve pas largimit në vitin 2021, marrëdhënia me drejtuesit e klubit është normalizuar.
Zidane ka refuzuar gjithashtu oferta të rëndësishme nga Al-Hilal, si dhe interes nga klube të njohura si Paris Saint-Germain dhe Chelsea. Megjithatë, zgjedhja e tij ka qenë gjithmonë e qartë: ose të drejtonte Francën, ose të rikthehej te Real Madridi, pa marrë në konsideratë asnjë destinacion tjetër.
