Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, i ka kërkuar përmes një letre kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që sot, më 16 gusht, në orën 11:00, të thërrasë vazhdimin e saj.

Çitaku thekson se moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar një situatë “të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”.

Në letër theksohet se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, “duhet të kihet parasysh se, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij.”

Më tej në letër, drejtuar Deharit, thuhet: “Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit.”