Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka kërkuar kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, të thërrasë sot, më 16 gusht, në orën 11:00, vazhdimin e seancës konstituive.

Në letrën drejtuar Deharit, Çitaku ka shprehur shqetësimin për moskonstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar situatën të rëndë, si shkelje të Kushtetutës dhe mosrespektim të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”, thuhet në letrën e PDK-së, drejtuar kryesuesit Dehari.

Çitaku ka theksuar se përgjegjësia e kryesuesit është të mundësojë zhvillimin e seancës deri në përfundimin e procesit të konstituimit.

“Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit”, thuhet më tej në letër.

PDK-ja i ka bërë thirrje Deharit të thërrasë seancën në orën 11:00, me qëllim vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.