Qindra emigrantë protestojnë dhe kërkojnë azil në Ceuta të Spanjës: “Nuk duam të kthehemi në Marok”
Qindra emigrantë, të cilët kanë hyrë së fundmi në Ceuta, enklavën spanjolle në Afrikën Veriore, organizuan një protestë në një plazh të njohur qytetar. Ata i bënë thirrje autoriteteve spanjolle t’u japin azil dhe të mos i kthejnë në Marok.
Këta protestues janë pjesë e rreth 5,000 deri në 8,000 personave që kanë mbetur në Ceuta, pas kalimit masiv të kufirit dy javë më parë. Asokohe, mbi 72,000 njerëz u dyndën në këtë territor të vogël me rreth 80,000 banorë.
Megjithatë, shumica dërrmuese e tyre u kthyen vullnetarisht në ditët pasuese.
Protestuesit mbanin flamuj spanjollë dhe banderola me mbishkrime të tilla si: “Nuk duam të kthehemi në Marok” dhe “Edhe ne jemi njerëz”. Ata brohorisnin slogane si: “Jemi të lodhur” ose “Na duhet një zgjidhje”.
Në brigjet shkëmbore, disa emigrantë shiheshin duke larë rrobat, ndërsa të tjerë peshkonin me shkopinj bambuje të improvizuar.
Më herët gjatë kësaj jave, Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, deklaroi se emigrantët që kishin hyrë në mënyrë të parregullt nuk do të lejoheshin të qëndronin në enklavë, të udhëtonin drejt Spanjës kontinentale, apo të merrnin status ligjor. Përjashtim do të bëjnë vetëm rastet tejet të rralla që përfshijnë cenueshmëri ekstreme.
Shumica e emigrantëve marokenë deklaruan se ishin shtyrë të largoheshin nga vendi i tyre për shkak të kushteve të këqija të punës, pavarësisht se shumë prej tyre kishin kualifikime të larta profesionale.
