**Haxhiu kërkon konsensus për Presidentin, PDK, LDK dhe AAK refuzojnë takimin**

Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës, ka ftuar sot liderët e partive politike në një takim konsultativ në Zyrën e Presidentes, me qëllim diskutimin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit dhe arritjen e një konsensusi.

Në takimin, i cili nisi në orën 09:00, morën pjesë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla, si dhe përfaqësues të partive të komuniteteve jo shumicë.

Ndërkohë, tri partitë kryesore opozitare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – refuzuan ftesën e Haxhiut.

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, deklaroi se Haxhiu duhet t’i drejtohej kryesuesit të Kuvendit për thirrjen e seancës, duke e cilësuar ftesën e saj “manipulim të radhës”.

Nga ana tjetër, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, akuzoi Haxhiun dhe Albin Kurtin se përmes këtij takimi po synojnë të gjejnë fajtorë për një vendim që, sipas tij, ata tashmë e kanë marrë: atë për t’i çuar vendin në zgjedhje të reja.