**Vrasje në Ksamil: Kush është Sokrat Vata, autori i dyshuar me të shkuar kriminale në Angli**

Sokrat Vata, 29-vjeçari i dyshuar si autor i vrasjes së 20-vjeçarit francez Miguel Mendes në zonën e Ksamilit në Sarandë, ka një të shkuar kriminale të rëndë në Angli.

Vata u arrestua më parë në Angli pas përfshirjes në dy raste të ndjekjeve nga policia, të lidhura me trafikimin e kokainës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve, raporton A2 CNN.

Më 30 prill, policia në Kembrixh identifikoi Vatan duke drejtuar një makinë të vjedhur tip “Toyota”. Ai tentoi t’i shpëtonte ndjekjes, duke hedhur një sasi kokaine në shkurre gjatë ikjes në këmbë, pasi pasagjeri kishte zbritur nga automjeti. Vata u kap dhe atij iu gjetën 560 paund, si dhe rezultoi pozitiv në testin për drejtim automjeti nën efektin e drogës.

Një incident i ngjashëm kishte ndodhur më parë, më 13 prill, në Kent, ku Vata refuzoi t’i bindet urdhrit të policisë për të ndaluar. Ai përplasi një automjet me targa të klonuara, brenda të cilit u gjetën qese me kokainë dhe targa.

Për shkak të këtyre ngjarjeve, Vata u arrestua dhe u paraqit para Gjykatës së Kurorës së Kembrixhit. Ai pranoi akuzat për posedim të drogës së klasit A me qëllim furnizimin, drejtim të rrezikshëm automjeti, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës. Për këto vepra, ai u dënua me pesë vite burg.

Lidhur me vrasjen në Ksamil, Policia e Sarandës njoftoi se rreth orës 05:15 të mëngjesit, në shezlongët e plazhit, para një lokali, u gjet pa shenja jete shtetasi francez Miguel Mendes, rreth 20 vjeç. Viktima dyshohet të jetë goditur me mjet prerës (thikë). Sipas hetimeve paraprake, konflikti ka ndodhur për motive të dobëta dhe pas goditjes, Sokrat Vata, banues në Has, u largua menjëherë nga vendngjarja. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.