Aktakuzë për vrasje të rëndë në Mitrovicë: E goditi me thikë në qafë pas përqafimit
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet A.S., për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas aktakuzës, ngjarja tronditëse ndodhi më 27 maj 2026, në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicë, brenda banesës së viktimës E.I.
Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodheshin edhe i dëmtuari S.I., dëshmitari I.M. dhe vajza gjashtëvjeçare e viktimës.
Aktakuza detajon se, pasi viktima i hapi derën, i pandehuri A.S. i foli, e përqafoi dhe i uroi festën e Kurban Bajramit. Më pas, pasi hyri në kuzhinë, dyshohet se nxori një thikë dhe e goditi viktimën në qafë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Si pasojë e plagëve të marra, viktima ndërroi jetë në vendngjarje, pa arritur të dërgohej në spital.
Pas këtij akti të rëndë, i pandehuri dyshohet se tentoi të sulmonte edhe të dëmtuarin S.I., duke synuar ta godiste në fyt. S.I. arriti t’i shmangej goditjes fatale, por u godit në fytyrë, përkatësisht në hundë dhe buzë, duke pësuar lëndime të lehta trupore.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka kërkuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit në fuqi.
Deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata, i pandehuri gëzon prezumimin e pafajësisë.
