Kryenegociatori Zulfaj thekson konstituimin e Kuvendit dhe qeverisë, sugjeron se PDK do të bojkotojë zgjedhjen e Presidentit
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka komentuar thirrjet e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për konstituimin e Kuvendit. Zulfaj ka paralajmëruar se procesi i krijimit të institucioneve do të vazhdojë, duke sugjeruar se PDK do të bojkotojë votimin për Presidentin e ardhshëm, ashtu siç ka vepruar në të kaluarën.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zulfaj publikoi një fotografi nga Kuvendi i Kosovës, shkrepur gjatë seancave për votimin e Presidentit, ku shfaqej prania vetëm e Lëvizjes Vetëvendosje.
Duke iu referuar kësaj situate, ai shkroi: “Kjo ishte pamja më 5 mars dhe më 28 prill të këtij viti në Kuvend. PDK-ja po qëndron para derës së Kryeministrit, për të mos qëndruar në Kuvend.”
Më tej, Zulfaj theksoi se pas përfundimit të afatit për konsultime rreth zgjedhjes së Presidentit, Kuvendi do të konstituohet dhe Qeveria do të formohet. Ai aludoi se PDK nuk do të marrë pjesë në këtë proces kur të vijë radha e zgjedhjes së kreut të shtetit.
“Kërkesa e tyre për të shkuar sa më parë në Kuvend është kërkesë për të bojkotuar Kuvendin, siç kanë bërë që nga viti i kaluar. Por, megjithatë, do të përfundojë edhe koha e konsultimeve për Presidentin dhe do të konstituohet Kuvendi, do të zgjidhet Qeveria dhe do t’i vijë radha zgjedhjes së Presidentit, pikërisht në Kuvend,” shtoi Zulfaj.
Megjithatë, mbetet e paqartë cilit afat kohor i referohej Zulfaj me termin “përfundim”, duke qenë se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka skaduar më 7 gusht në mesnatë.
